Merkel: NATO do t’i sigurojë aleatët e kërcënuar nga Rusia

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se sanksionet e vendosura nga Perëndimi kundër Rusisë për rolin e saj në krizën ukrainase ishin të nevojshme për të treguar seriozitetin e vendeve të BE-së.

“Ne duhet të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje politike. Por, mendoj se ka qenë gjithashtu e nevojshme për ne miratimi i sanksioneve kundër Rusisë, për të treguar seriozitet në bindjet tona”, theksoi Mekel në një konferencë shtypi me kryeministren letoneze, Laimdota Straujuma, gjatë një vizite në Rigë.

Kievi konfirmoi sot se rebelët prorusë kishin qëlluar kundër një autokolone refugjatësh duke shkaktuar shumë të vdekur, ndërkohë që Moska nuk ka bërë asnjë progres thelbësor në diskutimet diplomatike pas një takimi të pasuksesshëm dje në Berlin.

“Është për të ardhur keq që sistemi i sigurisë është përkeqësuar për shkak të krizës ukrainase. I kuptoj shumë mirë shqetësimet e qytetarëve të Letonisë, vendeve të tjera balltike dhe Polonisë”, deklaroi Merkel.

Kancelarja siguroi se NATO do të vendosë gjatë samitit të ardhshëm, në fillim të muajit shtator, për praninë e trupave të NATO-s, veçanërisht në Letoni.

“Ne duhet të sigurojmë të gjithë partnerët e NATO-s që ndihen të kërcënuar apo në rrezik. Ne duhet të tregojmë se, kur ky kërcënim rritet, ne flasim me një zë të vetëm”, nënvizoi ajo.

Së fundmi, Rusia ka dekretuar një embargo mbi produktet ushqimore evropiane për një vit, si kundërpërgjigje për sanksionet ekonomike të vendosura nga Bashkimi Evropian kundër Moskës, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia. Në përgjigje të embargos, Komisioni Evropian njoftoi zhbllokimin e rreth 125 milionë eurove për të mbështetur sektorin e fruta-perimeve në BE.

Lajme të ngjashme

Back to top button