Organizimi administrativ i Perandorisë Osmane

Si pjesë përbërëse e administratës provinciale, Sulltanët emëronin dy përfaqësues të shtetit që kishin për detyrë qeverisjen e rajonit, ata ishin beu dhe kadiu. Beu i takonte klasës ushtarake dhe përfaqësonte pushtetin ekzekutiv, ndërsa kadiu vinte nga radhët e ulemave, që në emër të sulltanit përfaqësonte drejtësinë

Historia e civilizimeve është e mbushur me personalitete të njohura dhe bashkësi të ndryshme organizative. Në sajë të rregullimit dhe organizimit të brendshëm,  si dhe falë kontributit të tyre në afirmimin e vlerave në sfera të ndryshme (politike, ushtarake, kulturore, shkencore etj.),  u la gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit.

Në këto bashkësi organizative pa dyshim bën pjesë edhe Perandoria Osmane, fillet e së cilës ishin nga një fis endacak në sistem të provincës stabile, e më pastaj në një shtet të madh e të fuqishëm, i zgjeruar në Azi, Afrikë dhe Evropë. Me këtë shtrirje gjeografike Perandoria Osmane ishte bërë një ndër shtetet islame më të mëdha që njeh historia.

Feja islame ka qenë faktor i rëndësishëm dhe është konsideruar si fe zyrtare që prej kohës së Emir Othmanit, i cili e konsideronte fenë islame si ndriçues në vendime, kërkonte mendime dhe këshilla prej juristëve muslimanë dhe e mbronte të drejtën në mesin e popullit. Pikërisht me potencialin e tij Emir Othmani vuri fillet e rregullimit të sistemit administrativ dhe ushtarak, ngase në kohën e tij osmanlinjtë u transformuan prej fisit endacak në provincë stabile, e më pastaj edhe në zhvillimin e shpejtë të qendrës,  në superfuqi botërore,  me kapacitete të larta ushtarake dhe administrative.

“Njeriu i penës”,  shtyllë e administratës

Perandoria Osmane bëri ndarjen e shoqërisë në dy klasa: në “sundues turq” dhe “popull i sunduar”. Në grupin e parë bënin pjesë ushtria, kryesia islame dhe administrata. Ushtria Osmane i ngjante medaljes me dy anë: njëra është lufta,  kurse tjetra sundimi dhe, me të drejtë thuhej se shteti osman ishte shtet ushtarak. Kryesia islame në kryeqendër gëzonte autoritet të lartë, udhëheqësi quhej Myfti, e më vonë Shejhul-Islam, i cili i përfaqësonte të gjitha institucionet fetare dhe gjyqësore. Politika zyrtare e shtetit në aspektin fetar i afronte dijetarët dhe të devotshmit, ata respektoheshin thellë nga paria dhe popullata. Sulltanët ishin të kujdesshëm në dëshirat e tyre sulltanore,  si dhe në nxjerrjen e ligjeve pozitive, të cilat duhej të ishin në përputhje dhe në harmoni me parimet e sheriatit islam.

Administrata kishte për obligim tubimin dhe shpërndarjen e tatimeve, pajtimin e njerëzve të grindur, edukimin dhe arsimimin e popullatës, marrëdhëniet diplomatike, mirëmbajtjen e arkivit dhe regjistrit qendror etj. Teoria politike e Perandorisë Osmane, krahas “njeriut të shpatës” dhe “njeriut të fesë”,  ka dalluar “njeriun e penës”, duke e konsideruar atë shtyllë të administratës, ndërsa në shtetet islame paraosmane kreu i Portës, me titull vezir, zakonisht ka qenë autoritet i cili më parë është shquar në zyrën ose arkën shtetërore. Aparati shtetëror ka qenë i ndarë në administratën qendrore, të  cilën e përbënte Këshilli sulltanor dhe administrata provinciale, të cilën e përbënte Sistemi timar.

Këshilli sulltanor ose Porta e Lartë obligim parësor e ka pasur dëgjimin e ankesave të popullit,  duke i zgjidhur padrejtësitë. Ky institucion është mbledhur dy herë në javë, ku prezent ka qenë edhe vetë Sulltani, që drejtpërsëdrejti t’i dëgjojë ankesat e popullit. Problemet mund të zgjidheshin në bazë të parimeve të Sheriatit, ku përgjegjës ishte Kadiu, ndërsa në rastet apo konfliktet ndërmjet vet popullatës që ishin me pretekst jo-fetar i takonin pjesëtarëve të Divanit- këshillit sulltanor. Porta e Lartë në fillim ka nënkuptuar vendin prej të cilit Sulltani i ka ndjekur paditë dhe i ka kryer punët shtetërore, ndërsa më në fund me këtë term është nënkuptuar Qeveria Osmane. Ky këshill i ka ruajtur tiparet e para të Gjyqit të lartë dhe se vetë pjesëmarrja e Sulltanit në këshill ka qenë tregues i mirë se Sulltani kujdeset për problemet e popullit dhe drejtpërsëdrejti merr pjesë në zgjidhjen e tyre. Porta e Lartë ose Këshilli perandorak është prezantuar në formën e gjykatës së lartë,  duke ndarë drejtësi, por njëkohësisht ka luajtur rolin e kabinetit,  ku është debatuar për problematika të ndryshme dhe janë marrë vendime në lidhje me emërimet, shkarkimet dhe punë të tjera nga sfera shtetërore. Në kuadër të këtij këshilli bënin pjesë tre njësi apo komisione të veçanta: njësia për çështje politike, për jurisprudencë dhe njësia për çështje financiare. Mbrojtja e pushtetit shtetëror, mbrojtja e territorit nga armiku i jashtëm dhe kujdesi për sigurinë e brendshme kanë qenë problemet politike për të cilat përgjegjësi kanë bartur vezirët, ndërsa dy kazaaskerë kanë përfaqësuar jurisprudencën, ndërsa defterdarët kanë qenë përgjegjës për financat. Po ashtu, një rol të rëndësishëm në administratën osmane luante edhe nishanxhiu,  i cili ishte udhëheqës i zyrës që vërtetonte urdhrat dhe letrat që i dërgonte Këshilli perandorak, duke iu vënë tugër- monogrami zyrtar i Sulltanit, që ta bëjë të vlefshëm dhe zyrtar vendimin apo kërkesën.

Roli dhe pozita e administratës osmane

Udhëheqësit e këtyre katër njësive përfaqësonin autoritetin e Sulltanit në Këshillin perandorak dhe kishin të drejtë që me vetiniciativë të dalin para Sulltanit dhe përgjigjeshin vetëm para tij, ndërsa para Kadiut mund të gjykohen vetëm nëse kanë qenë në pyetje kontestet gjyqësore të qytetarëve. Sulltani ka pasur të drejtën eksplicite për të marrë vendime për veprimtarinë e tyre publike. Sipas dispozitave të Kanun-names së Mehmed Fatihut është përshkruar më së miri roli dhe pozita e administratës së Perandorisë Osmane, me ç’rast thuhej se: veziri i madh është koka e vezirëve dhe eprorëve ushtarakë dhe zëvendës absolut i Sulltanit; defterdari,  përgjegjës për arkën e shtetit,  por nën mbikëqyrjen e Vezirit të madh. Të gjithë udhëheqësit administrativ dhe eprorët ushtarak, si: vezirët, mëkëmbësit, klasa ushtarake, raja dhe ulematë me lutje dhe kërkesa paraqiteshin te Veziri i madh, i cili nëse e shihte të arsyeshme,  ia paraqiste Sulltanit,  për të marrë pëlqimin e tij, e më pastaj jepej urdhri me vulë të Sulltanit. Në disa raste dhe situata Veziri i madh, si zëvendës i Sulltanit, kishte të drejtë që disa vendime t’i merrte vetë, me çka nënkupton se Veziri i madh ishte përfaqësuesi absolut i pushtetit ekzekutiv të Sulltanit.

Defterdari ishte përgjegjës për arkën shtetërore, kështu që pa lejen e tij nuk është realizuar asnjë hyrje apo e dalje nga arka dhe për çdo muaj defterdari ka përgatitur raport, që i ka shkuar Vezirit të madh. Kërkesat për ndërrimin e defterdarit janë bërë drejtpërdrejt te Sulltani.

Kazaaskerët kanë qenë funksionarë shtetërorë,  përgjegjës për zbatimin e Sheriatit. Ata kanë marrë vendimet përfundimtare në paditë gjyqësore në lidhje me jurisprudencën dhe Sheriatin. Po ashtu, kanë pasur të drejtë të bëjnë emërimin dhe shkarkimin e kadive.

Shejhul-islami,  si kategoria e parë e ulemave, ka gëzuar autoritetin më të lartë intelektual dhe të pavarur nga Veziri i madh, duke përfaqësuar kështu autoritetin fetar të Sulltanit. Pasi që në zyrën e Vezirit të madh janë marrë vendime në lidhje me aktivitetet shtetërore, tre personalitetet gjithmonë kanë qenë në shërbim permanent të Vezirit të madh: qehajabeu,  i autorizuar për çështje politike dhe ushtarake; çaush-basha,  i cili i ka pranuar paditë gjyqësore;  dhe reisul-kitabi,  i cili ka qenë sekretari kryesor i Divanit Sulltanor dhe rojtar i dispozitave dhe ligjeve shtetërore. Në mbledhjet që janë mbajtur në rezidencën e Vezirit të madh, të lartëpërmendurit prezantonin si anëtarë qeverie, ndërsa përfundimisht nga shekulli  XIX ushtruesit e këtyre detyrave emëroheshin si ministra sipas radhitjes, ministër i punëve të brendshme, ministër i punëve të jashtme dhe ministër i drejtësisë.

Si pjesë përbërëse e administratës provinciale, sulltanët emëronin dy përfaqësues të shtetit që kishin për detyrë qeverisjen e rajonit: ata ishin beu dhe kadiu. Beu i takonte klasës ushtarake dhe përfaqësonte pushtetin ekzekutiv, ndërsa kadiu vinte nga radhët e ulemave, i cili në emër të Sulltanit përfaqësonte drejtësinë. Veprimtaria e tyre ishte e ndërlidhur njëra me tjetrën, pasi që beu nuk kishte mundësi të bënte ekzekutimin e dënimeve para se të merrte vendimi nga ana e kadiut.  Nga ana tjetër, ndërkaq,  kadiu nuk mund të zbatonte në vepër vendimin e tij me karakter gjyqësor. Kadiu urdhrat i merrte drejtpërdrejt prej Sulltanit dhe kishte mundësi që në mënyrë të drejtpërdrejtë t’i drejtohet Sulltanit.

Mendoj se një ndarje e tillë e pushtetit të Perandorisë Osmane në administratë qendrore dhe provinciale ka luajtur një rol të rëndësishëm në kryerjen e punëve administrative.

Lajme të ngjashme

Back to top button