Vrasja e këngëtarit në Greqi, bie mbështetja për “Agimin e Artë”

Vrasja e këngëtarit 34 vjeçar, antifashist dhe antiracist Pavlos Fissas ka ndikuar menjëherë në rënien e mbështetjes për partinë neonaziste “Agimi i Artë. 

Sipas një sondazhi të publikuar sot nga gazeta “Ethnos”, partia neonaziste ka rënë në 7% nga 8.5% që kishte para vrasjes. Sondazhi është kryer 2 ditë pas vrasjes së këngëtarit dhe tregon se edhe shumë prej atyre që e mbështesnin këtë parti, e dënojnë vrasjen. 

“Agimi i Artë” është një forcë politike me 18 deputetë në Parlament, që ka struktura të rregullta në gjithë vendin, të ligjshme dhe të jashtëligjshme, detaje që kanë ndikuar në rënien e mbështetjes. Sipas një dëshmie të një anëtari të kësaj partie në shtypin grek, forca neonaziste ka një ushtri sekrete me rreth 3000 persona, që bëjnë pjesë në grupet ushtarake të ndërhyrjes së shpejtë si rasti i vrasësit të këngëtarit.

Në këtë sondazh partia “Demokracia e Re” merr 19%, SYRIZA 19.1% dhe PASOK 4.3%. 

Ndërkaq opinioni në Greqi është shokuar pasi gazeta “Protothema” sot në faqen e parë ka botuar foton e këngëtarit ndoshta në momentet e fundit të jetës, në krahët e së fejuarës në pritje të policisë dhe ambulancës. Fotoja botohet me qëllim që opinioni dhe politika të sensibilizohet edhe më shumë për të ndëshkuar këtë krim të rëndë të kryer nga ekstremistët e djathtë.

Teksa kryeministri Samaras deklaron se masat për Agimin e Artë do të merren në bazë të Kushtetutës, ministri i Rendit Nikos Dendias këmbëngul se Kushteta duhet të rishikohet me qëllim që partia neonaziste të nxirret jashtë ligjit. Ai gjithashtu ka propozuar që të ndërpriten financimet shtetërore për partinë në fjalë dhe ka paralajmëruar çdo polic, që vë në praktikë parimet e “Agimit të Artë” se do të përjashtohet nga trupa e policisë. 

Në një intervistë nëna e këngëtarit ka prekur edhe më shumë zemrat e opinionit teksa ka folur për të birin, duke thënë: “Uroj që fëmija im të jetë viktima e fundit”. 

“Djali im në këngët e tij fliste me respekt për jetën e njeriut, për ndihmën ndaj të dobtëve dhe për dashurinë. Kushdo që dëshiron të dijë kush është Pavlos le të dëgjojë këngët e tij. Ai la pas një pasuri të madhe, më fjalët dhe muzikën e tij me mesazhe dashurie. Unë dëshiroj që fëmija im të jetë viktima e fundit”, ka thënë nëna e 34 vjeçarit në TV Alfa. (Balkanweb)

Lajme të ngjashme

Back to top button