SHBA bombardon nga ajri autokolonën e Shtetit Islam (IS)

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme të reja ajrore ndaj militantëve të ISIS në veri të Irakut, ka bërë të ditur Pentagoni. 

Katër avionë luftarakë dhe avionë pa pilotë sulmuan një autokolonë prej 7 automjetesh në afërsi të qytetit të Irbilit.

Sulmet ajrore amerikane në Irak nisën në orët e para të ditës së premte, pas autorizimit të dhënë nga ana e Presidentit Obama, i cili u shpreh i vendosur për të luftuar militantët të cilët po vënë në rrezik mijëra njerëz në veri të Irakut.

Marie Harf, zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit tha për BBC se “synimi i sulmeve të tanishme është parandalimi i militantëve, të cilët tentojnë t’i afrohen qytetit të Irbilit. Në një plan më afatgjatë do të punojmë për të ndihmuar forcat kurde për të rimarrë territoret dhe për të luftuar militantë”, tha Harf.

Ndërsa John Kerry, Sekretari amerikan i Shtetit u shpreh fushata e terrorit ndaj personave të pafajshëm po paralajmëron një genocid.

Ministria e të Drejtave të Njeriut në Irak ka bërë të ditur se qindra gra janë kapur nga militantët dhe po mbahen në disa shkolla në Mosul, qyteti i dytë më i madh në Irak.

Pas marrjes nën kontroll nga ISIS të qytetit Qaraqosh, i cili është qyteti më i madh i krishterë në Irak, anëtarët e minoritetit Yazidi u detyruan të lënë shtëpitë e tyre dhe të strehohen në male. Sipas zyrtarëve amerikanë, militantët kanë nën kontroll edhe digën më të madhe në Irak, e cila është jetike, pasi kontrollon nivelin e lumit Tigris dhe është një burim kryesor i ujit dhe prodhimit të energjisë elektrike për popullin irakian.  

Lajme të ngjashme

Back to top button