Borchardt parashikon proces të gjatë kundër grupit të Drenicës

Shefi i EULEX’it Bernd Borchardt ka parashikuar një proces të gjatë gjyqësor ndaj Grupit të Drenicës, që akuzohet për krime lufte.

Gjermani ka përmendur gjysmën e vitit 2014, si afat kur mund të përfundojë procesi në shkallën e parë.

“Mendoj që procesi në shkallën e parë mund të përfundojë deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Por shkalla e dytë thuajse nuk është e mundur. Po spekuloj, por mendoj se përfundimi i shkallës së dytë nuk është i mundur në këtë kohë. Do të thotë: shpresoj se deri në qershor të vitit të ardhshëm do të kemi vendimin e parë, por as këtë nuk mund ta premtoj” ka thënë
Borchardt në një intervistë për DW.

Të akuzuarit, Ish Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, ish Komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, Jahir Demaku, Zeqir Demaku, Sahit Jashari, Avni Zabeli dhe Hysni Thaçi, aktualisht po mbahen në paraburgim.

Institucionet e Kosovës janë duke kërkuar që EULEX të përfundojë mandatin më 2014, por Borchardt ka thënë se autoriteteve të Kosovës deri atëherë do t’i dorëzohen vetëm disa kompetenca.

“Ne jemi të bindur se në verën e ardhshme, në disa sektorë mund t’i kalojmë kompetencat tona tek autoritetet e Kosovës. Kjo nuk është fare e diskutueshme. Ne kemi filluar të tërhiqemi ngadalë nga disa funksione të ekzekutivit, ku do të mbetemi vetëm në funksione këshilluese.
Por në disa sektorë jemi të mendimit se duhet të vazhdojmë punën tonë, dhe duhet të kemi madje edhe më shumë kompetenca” ka thënë ai.

Borchardt ka thënë se EULEX’i është shumë i angazhuar në implementimin e rezultateve të
dialogut Kosovë Serbi.

Lajme të ngjashme

Back to top button