Mbyllja e universiteteve, Berisha thirrje studentëve për protesta

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar sot lidhur me vendimin e Qeverisë Rama për mbylljen e disa universiteteve në vend. Berisha i dënon abuzimet që janë bërë në universitete dhe inkurajon luftën ndaj tyre, por njëkohësisht e dënon këtë vendim të qeverisë pasi la pa shkollë 7 mijë e 500 studentë.

“Abuzime të papranueshme ka patur, ka dhe do ketë si në universitetet private ashtu dhe në ato shtetërore dhe ato duhet ndëshkuar. Mjerisht raste abuzimi me diploma dhe doktorata njoftohen edhe në vendet më të zhvilluara. Por të godasësh në një ditë të vetme 31 institucione të arsimit të lartë, shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, disa prej të cilave ndër më seriozet, duke mos paraqitur publikisht asnjë fakt për shkelje ligji nga ana e tyre, dëshmon se po vepron në mënyrë korruptive”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Sipas tij Rama po vepron në mënyrë korruptive me universitetet njëlloj si me licencat e hidrocentraleve.

“Rama – Meta dhe qeveritarët e tyre, njëlloj siç kanë krijuar kompanitë e ndërtimit për punët publike apo siç bllokuan lojërat e fatit për t’ua dhënë familjarëve dhe sojit të vet, po krijojnë tani universitetet e veta private,” shkruan Berisha në rrjetin social facebook.

Më tej ai e quan raportin e kontrollit ndaj universiteteve si tërësisht anonim, në mungesë absolute të transparencës.

“Edvin Kristaq Rama mbylli me një të rënë të lapsit 29 shkolla të larta dhe dy universitete private, në të cilat studionin mbi 7500 studentë dhe ishin bërë në infrastrukturë mbi 200 milionë dollarë investime, pa llogaritur këtu dhjetëra milion dollarë të familjeve të studentëve”, shkruan më tej Berisha.

Përballë kësaj situate Berisha fton të rinjtë shqiptarë, studentë të ngrihen në protesta kundër këtij vendimi.

“Ju bëj thirrje të rinjve shqiptarë të ngrihen në protesta të fuqishme kundër klikes Rama – Meta që po shkatërron të ardhmen e tyre,” e mbyll postimin e tij ish kryeministri Sali Berisha. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button