Pse arabët shfaqen papritmas miq të Izraelit?

Në momentet që Izraeli e Hamasi ormisen për të gjetur paqe afatgjate në rajon, duket se zgjidhja përfundimtare është larg, por edhe nëse ajo ndodh nuk do jetë e kënaqshme për të dyja palët. Ajo që do jetë pika kryesore e bisedimeve është zhbllokimi i Gazës dhe lirimi i të burgosurve palestinezë.
Deri tani konflikti u ka marrë jetën mbi 1800 palestinezëve dhe si asnjëherë tjetër më parë, në Gazë, janë vrarë mbi 60 ushtarë izraelitë.

Ajo që njëmendësoi konfliktit e tanishëm, është qetësia arabe përballë barbarisë izraelite. Nëse në vitet 2009 dhe 2013 të konfliktit, shumë vende arabe i “treguan dhëmbët”  Izraelit, tani kjo nuk ndodh më.

“Është evidentuar qetësia arabe në këto momente”, thotë eksperti i Lindjes së Mesme, Guido Steinber për Bild. “E çuditshme ka qenë reaksioni i Egjiptit, Arabisë Saudite, por edhe i Emirateve të Bashkuara Arabe.”

Prapavija e mosreagimit të tyre, ka të bëjë kryesisht me rrëzimin e presidentit Mohamed Mursi në 2013, ku afërmendsh ra fuqia e “Vëllezërve Muslimanë” dhe tërthorazi gëzoi sheikët arabë.

“Kur fitoi Muhamed Morsi presidencialet e para demokratike në Egjipt, më së shumti u shqetësua Arabia Saudite dhe pjesa autokrate e Egjiptit që e shohin lëvizjen e tij si armikun e pushtetit të tyre.” Thotë eksperti Steinber. Hamasi si nëndegë e Vëllezërve Muslimanë është humbëse dhe njëkohësisht kurbane e politikave arabe.

Vendimtare ishte puçi ushtarak i verës 2013, kur u rrëzua edhe Mursi. Shteti më i madh arab, ra në duart e ushtarakut, Abdel Fattah al-Sisi, që lufton “Vëllezërit Muslimanë”, njëlloj si ish kryetari Hosni Mubarak. Kjo i shkon për shtati edhe Arabisë Saudite, por normal edhe Izraelit, sipas maksimës: armiku i armikut tim, është miku im.

Sipas vetë informacioneve që jep qeveria egjiptiane, 1600 tunele nëntokësore që lidhnin Gazën me Egjiptin, janë shkatërruar prej ardhjes së Sisit në qeveri. Vetë fakti që këta tunele kanë ekzistuar në kohën e Mursit, tregon mjaft për ndryshimin në politikën e re të Egjiptit.

Analisti i Wilson Center në Washington, Aaron David Miller, për New York Times shprehet: “Neveria dhe frika nga islami politik i vendeve arabe, është më alergjike sesa ajo kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu. Unë kurrë nuk kam përjetuar një situatë të tillë “qetësuese” nga ana e vendeve arabe për Gazën. Kjo heshtje është e papërshkrueshme.”

Gjuha e përbashkët mes Izraelit dhe Saudisë është edhe armiku tjetër, Irani. Edhepse jo publikisht, të dy shtetet kanë biseda intensive për uljen e ndikimit iranian në Lindjen e Mesme. Rritja e fuqisë iraniane prish ekuilibrin e Saudisë dhe ndihma e Iranit të Mullahëve kundrejt Hamasit, prish paqen në Izrael.

Këshilltari i palestinezëve, Khaled Elgindy, në lidhje me situatën e fundit në Lindjen e Mesme, për New York Times, do shprehet: “Pranvera arabe, edhepse si fillim i vështirë për Izraelin, tani tregon se shumë gjëra kanë ndryshuar në të mirë të saj. Akoma nuk dihet edhe sa do vazhdojë kjo e mirë.”/ F.Dika, Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button