Ne heshtëm!

Një thënie e urtë popullore thotë ”Heshtja është flori”. Kjo thënie sa na ka kushtuar si komb, duke menduar se nëse heshtim do të dalim fitimtar. Por ishte gabim. Gabim shumë i madh. Sepse tash çdonjëri prej nesh po i thotë vetes ”pse heshta kur nuk është dashur të hesht”? Na kushtoi shumë kjo heshtje, sepse me heshtjen tonë lejuam të ndodhin të gjitha gjërat e këqija që na ndodhën në dy dekadat e fundit. Kemi ngelur vazhdimisht duke e pyetur veten pse jemi në këtë gjendje të rëndë, pse jemi katandisur kaq keq? Por tash është shumë vonë për t’i bërë këto pyetje, sepse dëmi i madh u shkaktua. Shteti e mori teposhtëzën, u shkatërrua, u dërrmua, u katandis. Familje të shumta u shuan nga këto banda vrastare. U vranë djemtë dhe vajzat më të mirë të vendit. Këto banda i vranë intelektualët më të shquar, për t’iu hapur rrugën çobanëve, injorantëve, të paditurve, rrugaçëve, banditëve e kriminelëve për të ardhur në pushtet. U vranë publicistët, analistët, gazetarët, poetët e shkrimtarët, sepse këtyre kriminelëve nuk iu pëlqente e vërteta.

Por edhe ne jemi bashkëfajtorë për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi, sepse lejuam që një grusht kriminelësh të veshur me petkun e politikanit të vjedhin, të vrasin dhe të kërcënojnë të ardhmen tonë. Kurrë nuk e ngritëm seriozisht zërin kundër të bëmave të tyre. I mbyllëm sytë dhe në një farë mënyre me heshtjen tonë i përkrahëm krimet e tyre. Me heshtjen tonë i përkrahëm këta kriminelë të shkatërrojnë shtetin, ekonominë, arsimin, shëndetësinë, kulturën dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Lejuam një grusht kriminelësh që u bënë ”politikanë ” në Kosovën e pasluftës, të kapin për fyti çdo institucion të shtetit, ta degradojnë, ta vjedhin dhe me para të pista të privatizojnë çdo fabrikë dhe ndërmarrje shoqërore. Ato u shitën dhe ranë në duart e këtyre matrapazëve. Heshtëm përballë një grushti gjysmë-analfabetësh që s’dinë t’i lidhin dy fjalë, njerëz të padijshëm, një tufë injorantësh e çobanësh, banditë e kriminelë të paskrupullt të na udhëheqin shtetin. Fatin e shtetit dhe jetën tonë e lamë komplet në dorën e tyre. Lejuam që një tufë analfabetësh klasikë të na fyejnë intelegjencën. Të tallen dhe të shkelin mbi dinjitetin tonë. Mbyllëm sytë dhe lejuam që një grusht debilësh, injorantësh, çobanësh dhe halabakësh duke u thirrur ”në emër të luftës” të bëjnë gjithçka. Të bëhen multimilionerë, të vjedhin, të bëjnë lloj-lloj krimi. Me heshtjen tonë i lejuam të bëhen ”dikushi”, kur në fakt nuk ishin dhe nuk janë askushi. Lejuam që këta kriminelë të bëhen politikanë e diplomatë. Njerëz me diploma Universiteti, magjistra, doktorë ”shkencash” e akademikë. Gratë e tyre injorante dhe gjysmëanalfabete në fillim që s’dinin as t’i lidhnin dy fjalë, falë fuqisë së burrave që i kishin në pushtet, brenda natës u bën femra të ”shkolluara” dhe të ”emancipuara”. ”Zonjat” e tyre nga amvise të thjeshta, u graduan me lloj-lloj titulli. Të gjitha u bën profesoresha Universiteti. Këto ”zonja” që deri dje ishin injorante, u fuqizuan aq lartë me pozita saqë uzurpuan Universitetet publike dhe private për t’i ”edukuar” fëmijët tanë. Kurse fëmijët e tyre me paratë tona u shkolluan në shkollat më prestigjioze në botë, e ne heshtëm.

Nuk e ngritëm kurrë zërin pse gratë e tyre injorante dhe të pashkolluara, t’i mësojnë fëmijët tanë. Çfarë mësuan ata nga këto ”zonja” të paditura! Vetëm dolën analfabetë me diploma. E për këtë ne vetë jemi fajtorë, sepse heshtëm dhe lejuam të degradohet arsimi. Nuk e ngritëm kurrë zërin as për pasurinë e tyre marramendëse që e krijuan me djersën tonë, duke e vjedhur shtetin, derisa shumica e popullatës mezi po e siguron bukën e gojës. Nuk e ngritëm zërin as për qindra vrasje që këta kriminelë i shkaktuan pas luftës, e në anën tjetër familjet e viktimave akoma presin drejtësi. Lejuam gjithçka, e çfarë nuk lejuam. Çfarë është më e keqja akoma po i lejojmë. Heshtja nuk është flori kur duhet të flasësh, por ne zgjodhëm të heshtnim! Ne heshtëm dhe ”padashje” u bëmë bashkëpjesëmarrës në krimet e tyre, pavarësisht se ne nuk ishim pjesë e këtyre krimeve. Të vdekurit nga varri do të na mallkojnë për heshtjen tonë. Ne heshtëm dje, por edhe sot vazhdojmë të heshtim.

Lajme të ngjashme

Back to top button