Insan

Ti je një yll i vogël që dritës sate intensitetin s’ia di,
Një guacë e fshehur që gatuan margaritarë në fshehtësi.

Në këtë botë të mbrapshtë të gjithë jemi piktorë,
Dhe pa ‘po’-në tonë, paleta me të gjitha ngjyrat na është dhënë në dorë.
Jetë të plotë njerëzore që të pikturojmë, brushën në të gjitha ngjyrat duhet ngjyer,
Ndryshe  jetën plotësisht kurrë s’do ta kuptojmë.

Ti je një copë frymë mbi tokë,
‘Insan’ e pagëzuar. Ashtu je dizajnuar që, s’i del në krye kësaj udhe pa u rrëzuar!
E di? Ka raste kur nga të rrëzuarit njerëzit bëhen gjeni.
Njerëzit më të pastër, pas zhytjes në baltë kanë gjetur pastërti.
Se i Pastër është veç  Ai!
Që të do aq sa s’mund ta kuptosh ti. Që të kupton aq sa s’mund të duash ti.
Që çdo ferrë në udhën tënde e ka vendosur me shumë urtësi.
Për të t’i hapur sytë në çdo anë, për ta kuptuar se njëmendësisht ekziston veç dashuria e Tij.

Dhe ç’është kjo mendjemadhësi!?
Me një mëkatth do ta tejkalosh mëshirën e Tij!
Me logjikëzën tënde do të gjesh arsyetime për urtësinë e Tij!
Me pritjet e tua për veten, do t’mos i përshtatesh dizajnit të pa të metë të Tij!

Njeri! Ti je një krijesë që meriton çdo dashuri.
Lëre veten të shkrihet në Mëshirën e Tij. Kur Ai fal, ç’ke që këtë nuk e bën ti?
Mos vallë kriteret tua janë më të larta se të Atij?
A mos je gjykatëse më e kualifikuar? Apo  arkitekte më e mirë personalitete për të projektuar?
Mbylle grykën e këtij gavanozi, si një turshi e harruar.
Ti je bekuar me aq shumë mirësi, një gjë për ta kuptuar: kapital i madh të është besuar, dhe ka vetëm një vend që meriton atë për ta investuar: të jetosh, të punosh për hir të Tij!

Për hir të Atij që krijoi jetën!
Atij që ke më afër se veten!

Shqipe Palloshi 2013

Lajme të ngjashme

Back to top button