Tre tmerre për as leje e as merre

Duke qenë se njëri prej tmerreve më të mëdha në botë që aktualisht është duke vazhduar është ai që po ndodhë në Gaza të Palestinës, patjetër që çdo shkrim për tmerret e tanishme nis me këtë gjenocid. Pasi aty ka tendencë për okupim përmbi okupim dhe bëhet luftë në një paqe asnjëherë të vendosur duhet shumë fjalë për të sqaruar sadopak atë që ndodhë në Palestinë aktualisht. Por, ajo që mjafton të thuhet për këtë tmerr është se aty së fundmi përveç shtëpive, shkollave dhe rrugëve tani granatohen dhe shkatërrohen edhe spitalet, madje edhe varrezat. Duke qenë se bëhet fjalë për Gaza-n e cila prej shumë kohë veç më është nën një bllokadë dhe izolim, tani duke mos u lënë palestinezëve as spital e as varr rahat, hebrenjtë me terror shtetëror janë duke bërë diçka më shumë se gjenocidi e që rrezikohet të emërohet edhe deri në eksterminim: Zhdukjen e gjithçkaje palestineze në këtë pjesë të tokës. Sigurisht se lufta aktuale është dëshmi se kjo gjë asnjëherë nuk mund të ndodhë, por u mjafton hebrenjve si turp i botës ajo që ata janë duke vepruar shumë ngjashëm me nazistët të cilët këtë ua bënin atyre vet, hebrenjve; jo shumë kohë më para, vetëm shtatëdhjetë vite më parë!

Në tmerrin e dytë që fatkeqësisht vazhdon për tri vite me rradhë, ai në Siri, këtë herë pati edhe një input shqiptar. Gjë që bëri shqiptarët anembanë botës të tmerrohen edhe më shumë me atë që po ndodh atje dhe me aq sa po arrihet prej këtu të shihet ose përcillet. Inputi shqiptar në këtë tmerr ishte se një shqiptar prej Kosove, që më së paku që mund të thuhet për të është se s’dihet se nga vjen dhe ku shkon, shfaqi dhe u lavdërua me një marri nga ky tmerr. Sigurisht se duhen shumë fjalë për të sqaruar gjithë atë që ndodhë atje në Siri, bile shumë fjalë duhen edhe vetëm për aspektet e ndërlidhjeve të kësaj me shqiptarët, por shkurt mund të përmendim një akuzë, që u tha diku e ku akuzohen dhe fajësohen hoxhallarët shqiptarë ose rrethe islame për këtë të fundit.

Kjo akuzë, më duket, së paku, dyfish e padrejtë. E para sepse paraqitja e parë e këtij personi nëpër youtube ishte edhe një fjalim shqip mu kundër hoxhallarëve shqiptarë, ndaj të cilëve aty villte vrer, sigurisht sepse nuk e kanë përkrahur dhe janë distancuar prej ekstremizmit, moti kohë para se të dalin këto marri kaq në shesh. E dyta, sepse mu publikimi në opinion i kësaj shfaqjeje makabër ishte mu nga një revistë e rretheve islame, “Saff” e Bosnjës, që njashtu prej moti i ka spikatur këto dukuri si të dëmshme, së pari për fenë.

E të mos vije se nuk shkruajta për rastin, e vetëm për të mëpastajshmet, edhe pse mendoj se kam thënë aq sa jam ndier i thirrur, sigurisht jo aq sa jam ndier i nevrikosur: gjysma e asaj propagande luftarake që mëtohet të bëhet është se atje ka shtet. E çfarë shteti dhe rregulla islame qenkan ato që lejojnë që kujt ti teket të bëhet dhe shfaqet xhelat?!

Përveç kësaj mendoj se çdo analizë mbi këto dukuri është e paplotë, nëse nuk vihet në pah edhe njëri prej problemeve qendrore fetare në vendet tona e ajo është funksionimi problematik dhe diku edhe i padrejtë i institucioneve zyrtare fetare islame, si BFI-Maqedoni, për të cilën vetëm pak para ditësh, u evidentua edhe nga raporti i State Departamentit Amerikan, se ka lidhje të ngushta me shtetin e u merr haraç haxhilerëve, duke ua vështirësuar atyre kryerjen e këtij riti, në vend se t’ua lehtësonte, siç do duhej të bënte një institucion i mirëfilltë fetar?!

Kjo edhe përbën tmerrin e tretë, ku dikush në vend se të rregullon rrethanat për zhvillim të jetës fetare ende më shumë i rëndon ato, bile duke hyrë në lidhje të ngushta me shtetin e Maqedonisë, nuk dihet ende cilën pjesë të pushtetit; atë shqiptare apo direkt ministritë përkatëse, atë të brendshme dhe të jashtme.

Sigurisht që ky tmerr nuk është i njëllojtë me efektin e dy të parave, por është gjë që na ndodh neve, tani dhe këtu, dhe që shpie në shumë tmerre të mëpastajme e të cilat i sjell krimi, ryshfeti dhe bashkëpunimi në mënyrë jotransparente dhe të padrejtë me shtetin në dëm të vet besimtarëve, e të cilët njerëzit në këtë institucion do duhej t’i përfaqësonin denjësisht. Jo, kështu t’ua marrin paratë, çdo vjet e më shumë, për një rit fetar, asnjëherë duke mos dhënë llogari dhe duke mos patë asnjë fije transparence në paratë të cilat hyjnë dhe dalin në këtë shtëpinë e të gjithë myslimanëve të vendit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button